ABOUT THE ARTISTEVENTSPORTFOLIOSTUDIOCONTACT

God Bless America: Press Release (Shqip)

GOD BLESS AMERICA
XHOVALIN DELIA
Regjiso & Piktor

... ndryshe nga kafsha, që zgjedh o refuzon për instinkt, njeriu e bën me "vullnet të lirë", për pasojë, shtaza nuk largohet nga rregulli natyral instinktiv i paracaktuar edhe kur është në favor të saj, ndërsa njeriu largohet shpesh edhe në dëm të tij.

Në këtë kontekst filosofik, në një stil origjinal piktorik, poetik e kinematografik, midis reales e virtuales, luftës e paqes, arsyes e marrëzisë, përtej të "Mirës" e të "Keqes", me një ndërthurje natyrale të botës shtazore me atë njerzore, artisti, rrëfen romanin e dytë ambientuar në New York e Firence, në qendër të cilit është familja amerikane Warrior, ku njerëz e kafshë jetojnë sëbashku, nën një çati e në harmoni përveç qenit e maces që zihen vazhdimisht. Konfliktin Gurgk & Bushett,(qeni & macja), ndonëse konsideruar "natyral", Darvina, protagonistja 7-vjeçare, e jeton me ankth, por kur mëson se Gurgku, na paskësh ngrënë mamin e Bushetës megjithë këlyshë, bashkëjetesa midis dy kafshëve "armike", kthehet në vuajtje. Pas 11 Shtatorit, e mrekulluar nga pacifistët europianë, Darvina, u lutet prindërve që t'i blejnë një "Ylber të vërtetë", e bindur se simboli i shenjtë pajton edhe qenin me macen ...

Ndonëse naive, kërkesa e të voglës mirëpritet nga prindërit e traumatizuar nga kërcënimi i vazhdueshëm i terrorizmit islamik e, të mikluar edhe nga nostalgjia për Kontinentin e Vjetër, së bashku me dy vajzat, lënë Amerikën dhe shkojnë për pushime në Firence. Por edhe atje jo gjithshka është bash ashtu siç duket ...

A do të mund të ravijëzonim vallë në ylber një linjë që të përcaktonte ku mbaron njëra ngjyrë e ku fillon tjetra? Jemi në gjendje të shikojmë ndarazi shtatë brezat e ngjyrave por në ç'pikë i pari shndërrohet në të dytin? A mund të thuhet e njëjta gjë për arsyen e marrëzinë njerëzore?

Në kërkim të ekuilibrit ndërmjet të kundërtave, në një rikonstruksion historik sintetik, me një gjuhë larg politically correct, romani guxon të "çshenjtërojë" të Mirën, Dashurinë e Paqen. Pa hyjnizuar të Keqen, Urrejtjen e as Imoralen, demaskon, mirësinë, moralizmin e pacifizmin dhe, duke gërrmuar në labirintet më të errëta të njeriut, bash në atë postmodern, të pasuruar, superteknologjik e të sofistikuar, "zbulon" Boshin moral e shpirtëror.


XHOVALIN DELIA
Regjiso & Piktor

Lindur më 1959. Mbasi diplomohet në Akademinë e Arteve, si Piktor më 1985, nis rrugën e artit kinematografik në Kinostudion "Shqipëria e Re" ku realizon disa filma vizatimorë si regjisor e piktor, një prej të cilëve Kush e meriton fitoi Çmimin III në Filmfest IV. Krahas pjesëmarrjes në festivale kombëtarë e ndërkombëtarë filmi, regjisori-piktor paraqitet edhe në ekspozita kolektive e vetjake. Pas rënies së Murit të Berlinit, artisti shtegton drejt Perëndimit, jo si "mërgimtar" por si njeri i lirë për të parë e njohur "misterin" e asaj Bote. Mbasi hulumton në kulturën, artin e mendimin njerëzor, artisti ndalon në Firence ku sot jeton duke pikturuar, mediton duke shkruar e zbavitet duke filmuar. Herë pas here reflekton edhe në mediat e masmediat me artikuj, intervista e show. Arti i tij me tendencë Postmoderne e frymë filozofike, nuk njeh kufinj kombesh, shtetesh e as kulturash, përkundrzi, bash larmia e ndryshueshmëria që i ndan njerëzit dhe, vlerat universale që i bashkojnë ata, janë esenca e krijimtarisë së tij të cilën ai e materializon në pikturë, instalation, video, perfomancë, film, e letërsi. Zoti e Bekoftë Amerikën, është vepra e dytë letrare pas romanit Venere publikuar në vitin 2005.

xhdelia@yahoo.com